Vazhdojnë protestat në Hungari, ndryshimet tatimore të Orban nxisin zemërimin e popullit - NACIONALE

Vazhdojnë protestat në Hungari, ndryshimet tatimore të Orban nxisin zemërimin e popullit

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Teksa zemërimi ka vazhduar të rritet në lidhje me ndryshimet tatimore, për të cilat kritikët thonë se do të dëmtojnë bizneset e vogla, në Budapest protestat kanë vazhduar për të pestën ditë radhazi kundër qeverisë së Viktor Orban.

Hungarezët kanë dalë në rrugë që kur parlamenti miratoi një ndryshim ligji të martën që do të prekë qindra mijëra pronarë biznesesh të vogla.

Këto protesta janë të parat që kur Orbán, ka fitoi mandatin e katërt radhazi në muajin prill.

Disa mijëra njerëz marshuan nëpër qendër të Budapestit të shtunën duke brohoritur "Orbán humbi".

"Është çmenduri ajo që ata [qeveria] kanë bërë," tha një protestues, duke thënë se ndryshimet nuk do të sjellin më shumë të ardhura për buxhetin.

Ndërkohë, duke iu drejtuar tubimit, Peter Marki-Zay, i cili drejtoi një opozitë të bashkuar, por humbi kundër Orbanit në prill, tha se premtimet e fushatës së kryeministrit nacionalist ishin "provuar se ishin gënjeshtra".

Ndërsa, Orban në fjalimin e tij të rregullt në radio, e mbrojti ndryshimin e ligjit të taksave si "të mirë dhe të nevojshëm".

Pavarësisht kufijve të çmimeve për gjërat thelbësore, vendi i Evropës Qendrore përballet me inflacion në rritje dhe një rënie të monedhës vendase mes bisedimeve me Brukselin mbi financimin e frenuar të Bashkimit Evropian.

Hungaria, e cila varet kryesisht nga nafta dhe gazi rus, shpalli një "gjendje rreziku" të mërkurën për krizën energjetike të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.

Kurse, ndër masat e marra për të trajtuar problemin, u vendos që njerëzit që konsumojnë më shumë se sasia mesatare e energjisë do të duhet të paguajnë për të me çmimin e tregut dhe jo me normën e subvencionuar të shtetit.

Lajme të ngjashme