Vance planifikon vizitë në Hungari - mbështetje Orbanit para zgjedhjeve të vështira - NACIONALE

Vance planifikon vizitë në Hungari - mbështetje Orbanit para zgjedhjeve të vështira

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, është duke planifikuar që ta vizitojë Hungarinë ditëve në vijim për ta shprehur mbështetjen për kryeministrin nacionalist, Viktor Orban, i cili muajin e ardhshëm ballafaqohet me një palë zgjedhje të vështira, thanë të mërkurën dy burime të afërta me këtë plan.

Vizita do të vinte pasi sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, udhëtoi në Budapest në shkurt për ta mbështetur publikisht Orbanin para garës më të vështirë të tij në zgjedhje që nga ardhja në pushtet më 2010. Sipas sondazheve, partia e tij është e dyta para zgjedhjeve të 12 prillit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Koha e saktë e vizitës së Vances nuk ishte menjëherë e qartë dhe planet e tij mund të ndryshojnë, paralajmëruan burimet, pasi zyrtarët e lartë mund të vendosin që të qëndrojnë në Uashington në kohën kur lufta ajrore amerikano-izraelite kundër Iranit po vazhdon. Presidenti Donald Trump ka thënë se e ka shtyrë vizitën e tij në Kinë për shkak të luftës.

Shtëpia e Bardhë nuk pati menjëherë ndonjë koment për këtë artikull.

Orbani, njëri nga aleatët më të ngushtë të Trumpit në Evropë, për një kohë të gjatë është përplasur me Bashkimin Evropian për disa çështje, përfshirë Ukrainën. Duke e sfiduar Brukselin, ai ka mbajtur lidhje të mira me Moskën, ka refuzuar që t’i dërgojë armë Ukrainë dhe thotë se Kievi asnjëherë nuk mund të anëtarësohet në BE.

Trumpi i dha mbështetje Orbanit muajin e kaluar, duke e quajtur “udhëheqës vërtet të fortë dhe të fuqishëm” në një shkrim në rrjete sociale. Shumë prej djathtistëve të ashpër të Trumpit e cilësojnë Orbanin si model për politikat e vrazhda kundër imigrantëve dhe për mbështetjen ndaj konservatorizmit të krishterë.

Lajme të ngjashme