Valon Lluka i përgjigjet Pacollit: Ke publikuar të pavërteta, vendimi gjyqësor e ka rrëzuar padinë ndaj meje-paralajmëron veprime ligjore
Valon Lluka i është përgjigjur Behgjet Pacollit pas deklaratave të tij lidhur me një vendim të një gjykate në Abu Dhabi, duke e akuzuar për “manipulim” dhe publikim të të dhënave të pavërteta rreth vendimit gjyqësor.
Lluka thotë se padia ndaj tij personalisht është rrëzuar dhe se gjykata ka konstatuar se ai ka vepruar vetëm në cilësinë e drejtuesit të kompanisë, jo në emër personal. Sipas tij, vendimi nuk e ngarkon atë me asnjë detyrim financiar, ndërsa shuma prej 1,748,680.61 eurosh i është ngarkuar vetëm “të paditurit të parë”.
Lluka kundërshton gjithashtu pretendimet se ai ka përfituar në mënyrë të paligjshme, ka përdorur kontrata fiktive apo ka mashtruar punonjësit e kontabilitetit, duke thënë se këto nuk janë konstatime të gjykatës.
Në reagimin e tij, Lluka e akuzon Pacollin se po përpiqet të distancohet nga vendimmarrja në kompani, ndonëse, sipas tij, dokumentet dëshmojnë se Pacolli ka marrë personalisht vendime menaxheriale.
“Dokumentet flasin vetë. Gënjeshtra nuk bëhet e vërtetë, sado herë që përsëritet”, ka shkruar Lluka.
Ai ka paralajmëruar gjithashtu se do të ndërmarrë veprime ligjore për deklaratat që, sipas tij, i kanë dëmtuar reputacionin.