Ushtarët e Kinës dhe të Indisë përleshen në kufirin e kontestuar në Himalaje - NACIONALE

Ushtarët e Kinës dhe të Indisë përleshen në kufirin e kontestuar në Himalaje

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Trupat indiane e kineze janë përleshur në kufirin e kontestuar mes dy vendeve në Himalaje. Ky është incidenti i parë i njohur mes dy fuqive bërthamore në pothuajse dy vitet e fundit.

Përmes një deklarate, Ministria e Mbrojtjes e Indisë tha se ushtarët e të dyja palëve kanë pësuar lëndime të lehta gjatë përleshjes, e cila thuhet se ndodhi të premten në Sektorin Tawang të rajonit verilindor indian, Arunachal Pradesh, zonë e largët dhe e pabanuar, që kufizohet me Kinën jugore.

Kufiri i kontestuar prej 3 mijë e 379 kilometrash ka qenë për kohë të gjatë burim i mosmarrëveshjeve mes Nju Delhit dhe Pekinit. Tensionet kishin eskaluar në qershorin e vitit 2020, kur përleshjet pa armë zjarri mes ushtarëve të të dyja shteteve kishin rezultuar në vdekjen e të paktën 20 ushtarëve indianë e katër ushtarëve kinezë në Aksai Chin-Ladakh.

Në incidentin e fundit, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Popullore të Kinës e "kontaktuan" linjën e kontrollit aktual – de fakto kufirin – i cili u kontestua nga ushtarët indianë “në mënyrë të prerë dhe me vendosmëri”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes të Indisë.

India dhe Kina kishin hyrë në një luftë për rajonet e tyre kufitare në vitin 1962, duke e formuar përfundimisht linjën e kontrollit aktual. Sidoqoftë, këto shtete nuk pajtohen për vendin e saktë të kësaj vije dhe të dyja palët vazhdimisht e akuzojnë njëra-tjetrën për shkeljen e saj ose për përpjekje për ta zgjeruar territorin.

Lajme të ngjashme