Ukraina e merr përgjegjësinë për vrasjen e gjeneralit rus Kirillov në Moskë
Ukraina qëndron prapa vrasjes së Gjeneral Lejtënant Igor Kirillov-it përmes një shpërthimi në Moskë, ka thënë një burim ukrainas i sigurisë, sipas agjencive të lajmeve, “Reuters” dhe AFP.
Edhe mediat ukrainase po raportojnë se Kirillovi u vra nga agjencitë ukrainase të sigurisë, raporton televizioni BBC.
Mediumi “Kyiv Independent” dhe agjencia e lajmeve “RBC Ukraine”, thonë se Kirillovi u vra nga Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës (SBU), duke cituar një burim të paidentifikuar brenda kësaj agjencia.
Televizioni BBC i ka dërguar pyetje SBU-së.
Ç'ndodhi në Moskë?
Gjeneral Lejtënant Igor Kirillov, që ishte përgjegjës për forcat ruse të mbrojtjes radiologjike, kimike dhe biologjike, është vrarë nga një shpërthim në Moskë, ka thënë Komiteti Hetues i Rusisë.
Kirillovi u vra afër një ndërtese banimi në distriktin Ryazansky, që fillon rreth shtatë kilometra në juglindje të Kremlinit, raporton gazeta “The Guardian”.
Shpërthimi u shkaktua nga një pajisje e fshehur brenda një skuteri elektrik, sipas Komitetit Hetues. Thuhet se edhe autori i vrasjes e ka humbur jetën.
Lajmi vjen pasi prokurorët ukrainas e kishin akuzuar Kirillovin për përdorim të armëve kimike të ndaluara në Ukrainë, sipas mediumit “Kyiv Post”.
Britania e Madhe i kishte vendosur sanksione Kirillovit, që e mbante pozitën aktuale që nga viti 2017, në tetor të këtij viti për përdorim të agjentëve për kontrollimin e trazirave dhe pas raportimeve të shumta për përdorimin e një agjenti helmues ngulfatës – kloropicrin – në Ukrainë.
Forcat ruse për mbrojtje radioaktive, kimike dhe biologjike – RKhBZ – janë forca speciale që veprojnë në kushte të kontaminimit radioaktiv, kimik ose biologjik.
Hetuesit dhe ekspertët e forenzikës po punonin në vendin e shpërthimit bashkë me punonjës të shërbimeve të tjera emergjente, raportoi agjencia ruse e lajmeve, TASS.