U godit nga vetëtima në Malin Etna, vdes alpinisti amerikan
Një turist amerikan ka vdekur, pasi u godit nga vetëtima përderisa po ngjitej në Malin Etna në Sicili të Italisë.
Burri 30-vjeçar, i cili nuk është identifikuar nga autoritetet, ishte te vullkani aktiv të dielën, kur nisi vetëtima, raportojnë mediat italiane, transmeton televizioni BBC.
Thuhet se amerikani u gjet nga zjarrfikësit dhe shërbimet emergjente në gjendje të arrestit kardiak rreth orës 20:0 sipas kohës lokale në një zonë të kufizuar për qasje, e cila nganjëherë shfrytëzohet për t’i afruar më shumë majës së malit. Ai u dërgua me helikopter në spitalin “Cannizzaro” në Katanjë, por u shpall i vdekur menjëherë.
Një varg i shpërthimeve rishtazi nga vullkani më aktiv i Evropës kanë shkaktuar pengesa në trafikun ajror lokal, por edhe kanë tërhequr shumë turistë.
Autoritetet e kanë kufizuar qasjen në më shumë zona të Etnës për shkak të aktivitetit të shtuar vullkanik.
Agjencia italiane e mbrojtjes civile paralajmëron se kombinimi i aktivitetit vullkanik dhe ndryshimeve të papritura të motit në pjesën më të lartë të malit mund t’i bëjnë kushtet të rrezikshme për ngjitje.
Rreth 1,5 milion njerëz e vizitojnë vullkanin e famshëm çdo vit.