U dënua me 3 vjet burgim për terrorizëm, Apeli ia vërteton vendimin - NACIONALE

U dënua me 3 vjet burgim për terrorizëm, Apeli ia vërteton vendimin

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin e ka shpallur fajtor të akuzuarin Sadri Nerjovaj, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, duke i shqiptuar dënimin në burg në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj.

Në vendimin e Apelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se refuzohen si të pabazuara ankesa e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) si dhe ajo e mbrojtësit të të akuzuarit Nerjovaj, avokatit Gëzim Berisha, ndërsa aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, vërtetohet.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Apeli vlerëson se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se dispozitivi i të njëjtit është i qartë, i kuptueshëm dhe konkret e po ashtu edhe në përputhshmëri të plotë me arsyetimin.

Sipas Apelit janë përfshirë të gjitha faktet dhe rrethanat nga të cilat plotësohen të gjitha elementet e veprës penale për të cilën i akuzuari Nerjovaj e ka pranuar fajësisë.

Ndërkaq, sa i përket pretendimeve ankimore për vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, Gjykata e Apelit ka konstatuar se mbrojtësi i të akuzuarit nuk ka pasur të drejtë ankimimi lidhur me këtë bazë.

Lajme të ngjashme