Trupi i Navalnyt i dorëzohet nënës së tij
Trupi i liderit opozitar rus të ndjerë, Alexey Navalny i është dorëzuar nënës së tij, më shumë se një javë pas vdekjes.
“CNN” raporton se kjo është konfirmuar nga zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh.
“Trupi i Alexey i është dorëzuar nënës së tij. Faleminderit shumë prej atyre që e kërkuan këtë me ne.” – ka thënë ajo.
Ajo po ashtu ka treguar se nëna e politikanit të ndjerë, Lyudmila Navalnaya është ende në Salekhard, qytetin ku trupi i të birit po mbahej.
Navalny ka vdekur më 16 shkurt derisa po mbahej në burg, pasi siç u tha, “u ndje keq pas një ecje” dhe “thuajse menjëherë” humbi vetëdijen.
Ndërkohë, ende nuk ka plane për mbajtjen e funeralit.
“Ne nuk e dimë nëse autoritetet do të ndërhyjnë për ta kryer atë ashtu siç familja dëshiron dhe ashtu siç Alexey e meriton. Do t’ju informojmë sapo të njoftohemi.” – ka thënë ajo.