Trumpi thotë se taksat ndaj BE-së “pa dyshim se do të ndodhin”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se do t’i zgjerojë taksat tregtare, duke e përsëritur paralajmërimin e tij se Bashkimi Evropian – dhe potencialisht edhe Britania e Madhe – do të ballafaqohen me masa, edhe pse pranoi se amerikanët mund t’i bartin disa prej pasojave ekonomike të një lufte tregtare globale që duket se po lind.
Paralajmërimi i presidentit amerikan erdhi pasi ai iu vendosi taksa Meksikës, Kanadasë e Kinës, veprim që nxiti masa hakmarrëse nga të tria këto shtete, raporton gazeta “The Guardian”.
Trumpi tha të dielën në mbrëmje se taksat e reja ndaj Bashkimit Evropian “pa dyshim se do të ndodhin”, duke i përsëritur ankesat e mëparshme për deficitin e madh tregtar të ShBA-së me bllokun dhe dëshirën e tij që Evropa të importojë më shumë vetura e prodhime bujqësore amerikane.
“Kjo pa dyshim se do të ndodhë me Bashkimin Evropian, mund t’jua them këtë. Nuk do të thosha se është një afat kohor, por do të jetë goxha shpejt” – shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Presidenti amerikan u duk sikur pati qëndrim më të butë ndaj Britanisë së Madhe, duke e përmendur marrëdhënien e mirë me kryeministrin Keir Starmer, por shtoi se taksat prapëseprapë “mund të ndodhin”.