Trumpi thotë se mund të shkojë në Pakistan, nëse arrihet marrëveshje me Iranin
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të enjten se ai mund të shkojë në Islamabad të Pakistanit, nëse atje arrihet një marrëveshje për përfundimin e luftës me Iranin dhe se Teherani është pajtuar për pothuajse gjithçka.
Trumpi pati ton optimist gjatë bisedës me gazetarë në kopshtin e Shtëpisë së Bardhë, përderisa po nisej për në Nevada dhe Arizona. Ai tha se mund t’ia zgjatë afatin armëpushimit ShBA – Iran që do të skadojë javën e ardhshme, por mund të mos shfaqet nevoja për një gjë të tillë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Nëse në Islamabad nënshkruhet një marrëveshje, unë mund të shkoj. Ata më dëshirojnë” – tha presidenti amerikan.
Ai tha gjithashtu, pa paraqitur dëshmi, se Irani është pajtuar që ta dorëzojë uraniumin e pasuruar që besohet se është varrosur nën dhe nga sulmet ajrore amerikano-izraelite vitin e kaluar.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë është përpjekur që ta bindë Teheranin të nënshkruajë një marrëveshje me të cilën Irani do të hiqte dorë nga programi i vet bërthamor.