Trumpi kërcënon që t’i shënjestrojë urat dhe centralet energjetike të Iranit, nëse vazhdojnë sulmet në Hormuz
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka kërcënuar se forcat e vendit të tij do të shkatërrojnë nga një urë ose central bërthamor të Iranit secilën herë kur forcat iraniane sulmojnë një anije në Ngushticën e Hormuzit.
Ai tha në një postim në rrjetin “Truth Social” se në mesin e caqeve të mundshme do të ishin ato që “ndodhen pranë ose në” kryeqytetin Iranian, Teheran, raporton televizioni BBC.
Kundërpërgjigjgja ushtarake do të pasonte çfarëdo forme të sulmit ndaj lundrimit në rrugën detare jetike, “qoftë përmes raketës, dronit ose ndonjë pajisjeje ose arme tjetër”, paralajmëroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Kërcënimi i tij erdhi pas sulmeve amerikane ndaj Iranit për natën e 11-të rresht. Teherani e ka paralajmëruar Uashingtonin kundër shënjestrimit të objekteve bërthamore.
Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se qëllimi i valës së sulmeve është që “ta vazhdojnë degradimin e aftësisë së Iranit për ta kërcënuar lundrimin komercial” në Ngushticën e Hormuzit.
Mediat shtetërore iraniane raportuan se mbrojtja ajrore u aktivizua në Teheran. Shpërthime u raportuan edhe në qytetin veriperëndimor, Tabriz, portet juglindore, Chabahar dhe Konarak, dhe në qytetin jugor, Bushehr, ku ndodhet centrali i vetëm bërthamor i Iranit.