Trumpi e fajëson “dhunën politike të së majtës radikale” për vrasjen e aleatit Charlie Kirk - NACIONALE

Trumpi e fajëson “dhunën politike të së majtës radikale” për vrasjen e aleatit Charlie Kirk

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Në një adresim nga Zyra Ovale para se të identifikohej personi që e vrau aktivistin konservator dhe aleatin e tij, Charlie Kirk, presidenti amerikan, Donald Trump, e fajësoi “të majtën radikale” për vrasjen e aktivistit.

“Me vite, ata të së majtës radikale i kanë krahasuar amerikanët e mrekullueshëm si Charlie me nazistët dhe vrasësit masivë e kriminelët më të këqij të botës. Ky lloj i retorikës është drejtpërdrejt përgjegjës për terrorizmin që ne po e shohim në vendin tonë sot dhe kjo duhet të ndalet mu tani” – the kreu i Shtëpisë së Bardhë, raporton gazeta “The Guardian”.

“Administrata ime do ta gjejë secilin prej atyre që kontribuuan në këtë mizori dhe në dhunë tjetër politike, përfshirë organizatat që e financojnë dhe e përkrahin atë, si dhe ata që u vihen pas gjykatësve, zyrtarëve të sundimit të ligjit dhe çdokujt tjetër që e prish rendin” – shtoi ai.

Trumpi përmendi një listë incidentesh që i përshkroi si “dhunë politike e së majtës radikale”, përfshirë tentativën për ta vrarë atë vitin e kaluar, vrasjen e shefit ekzekutiv të “United Healthcare”, Brian Thompson”, dhe të shtënat ndaj kongresistit republikan Steve Scalise më 2017.

Sidoqoftë, ai vendosi të mos e përmendte rastin e sulmit ndaj bashkëshortit të ish-kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Kirk u dërgua me urgjencë në spital, pasi u qëllua m armë në një tubim, ndërsa Trumpi e konfirmoi vdekjen e tij disa orë më vonë.

Policia po e vazhdon kërkimin e të dyshuarit. Dy persona u arrestuan, por më vonë u liruan, pasi zyrtarët thanë se ata “nuk kishin lidhje” me incidentin./Nacionale

Lajme të ngjashme