Tre të vdekur nga orteku në një qendër skijimi në Zvicër - NACIONALE

Tre të vdekur nga orteku në një qendër skijimi në Zvicër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një ortek në majë të qendrës së skijimit në Zermatt të Zvicrës, afër kufirit me Italinë, ka lënë të vdekur tre persona e një të lënduar. Autoritetet paralajmëruan për rrezik për fatkeqësi të reja për shkak të erës së fortë e reshjeve të borës.

Në pamje të publikuara në rrjete sociale shihet një mur bore duke kapërcyer një pjesë jashtë shtegut të sektorit Riffelberg të Zermatt-it, njëra nga qendrat më luksoze të skijimit në Alpet e Zvicrës. Një operacion i gjerë shpëtimi u nis pavarësisht nga moti i lig, raporton gazeta “The Guardian”.

Kërkimi u pezullua në mbrëmje, tha në rrjetin X kantoni Valais, duke konfirmuar se tre persona kishin vdekur e një tjetër ishte lënduar.

Reshjet e dendura të borës dhe era shumë e fuqishme i kishte nxitur autoritetet që të paralajmëronin për rrezikun e një orteku të madh në pjesën jugore të Alpeve.

Rreziku vlerësohej posaçërisht i lartë në kantonet Grison dhe Valais, të dyja destinacione të popullarizuara për skijim.

“Priten ortekë shumë të mëdhenj dhe në disa raste tepër të mëdhenj e spontanë” – tha Instituti për Hulumtimin e Borës dhe Ortekëve.

Para së hënës, 14 persona kishin vdekur nga 12 ortekë e aksidente në Zvicër deri më tani në këtë sezon skijimi, sipas këtij instituti.

Lajme të ngjashme