Trazira dhe të shtëna në Bagdad, së paku 15 të vrarë
Të paktën 15 persona janë vrarë në përleshjet mes forcave irakiane të sigurisë dhe përkrahësve të klerikut të fuqishëm shiit, Moqtada al-Sadr, në kryeqytetin e Irakut, Bagdad.
Zyrtarët thonë se dhjetëra të tjerë janë lënduar, pasi protestuesit besnikë ndaj al-Sadr-it ia mësynë pallatit presidencial.
Dhuna filloi, kur kleriku njoftoi se është tërhequr nga politika. Blloku i tij e fitoi shumicën e ulëseve në kuvent në tetorin e vitit të kaluar, por ai ka refuzuar që të bisedojë me grupet shiite të përkrahura nga Irani për ta formuar qeverinë.
Si rezultat i këtij ngërçi, Iraku është përfshirë nga mungesa politike e stabilitetit që një vit.
Luftimet në rrugë shpërthyen gjatë natës. Një pjesë e madhe e luftimeve ka qenë e përqendruar përreth Zonës së Gjelbër, ku ndodhen ndërtesat qeveritare dhe ambasadat e vendeve të huaja. Për shkak të përleshjeve, stafi i ambasadës holandeze u detyrua që të vendosej në objektin e ambasadës gjermane.
Zyrtarët e sigurisë thanë se një pjesë e dhunës është mes Brigadave të Paqes, grup militant besnik ndaj klerikut al-Sadr, dhe pjesëtarëve të ushtrisë irakiane.