Totaj: Qeveria po e instrumentalizon Policinë e Kosovës për aksionet në veri
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj, ka komentuar arrestimin e politikanit serb Aleksander Arsenijeviq, i cili i ka fishkëlluar kryeministrit Albin Kurti, të martën, gjatë vizitës së tij në bizneset e shqiptarëve në veri të Mitrovicës.
Totaj, e ka vlerësuar si një veprim të dëmshëm dhe të ngutshëm që nuk i shërben shtetit të Kosovës.
“Ne tentojmë të ndërtojmë një demokraci dhe në demokraci kur nuk ka protesta të dhunshme, me fishkëllim apo me shprehje të pakënaqësisë në mënyrë normale, mendoj se është e drejta e një qytetari cilido qoftë ai, prandaj mendoj që këto veprime janë të ngutshme, janë të dëmshme dhe krijojnë një përshtypje jo të mirë për shtetin e Kosovës”, ka thënë ai në Tëvë1.
Sipas Totaj, Qeveria e Kosovës me këto veprime po e instrumentalizon dhe keqpërdor Policinë e Kosovës për aksionet në veri.
“Kjo në njëfarë mënyre, po më vjen keq ta them, por është një instrumentalizim dhe keqpërdorim i Policisë së Kosovës, e cila është një ndër institucionet kisha me thënë më kredibile, që është ndërtuar me mund dhe me kujdes dhe të keqpërdoret në këtë mënyrë nuk i shërben askujt, si reputacion e as performancë e mirë. Unë e shoh kështu pra si instrumentalizim i policisë për aksionet në veri dhe jam i bindur personalisht, se po të mos isha i bindur nuk e kisha thënë. Unë e kam konsideruar që është një keqpërdorim i uniformave të policisë së Kosovës, për nevoja të politikës e cila qëllim kryesor e ka veprimin elektoral tash përpara zgjedhjeve, por edhe më herët e ka pasur.