Thirrje për protestë - kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë - NACIONALE

Thirrje për protestë - kërkohet mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Përdhunimi i një 11-vjeçare nga pesë persona ishte një krim i rëndë që tronditi shoqërinë në Kosovë. Si pasojë e kësaj, nesër në mesditë është organizuar një protestë para Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Aktivistja Diellza Kolgeci ka kërkuar që sa më shumë njerëz të mblidhen nesër për të rritur ndërgjegjësimin për keqtrajtimin e grave dhe fëmijëve.

Në një prononcim për Gazetën Express, ajo ka thënë se nesër duhet të jenë sa më shumë gra dhe vajza për t'i dërguar një mesazh të qartë institucioneve dhe komunitetit për nevojën që të ndalen mizoritë e tilla.

Kujtojmë që një ngjarje e tmerrshme raportohet të ketë ndodhur të shtunën në Prishtinë. Një vajzë 11-vjeçare dyshohet se është dhunuar për shtatë orë nga katër burra, njëri prej të cilëve i mitur. Dy nga ta janë arrestuar – vëllezër mes vete - dhe rasti po vazhdon të hetohet, teksa interneti ka shpërthyer me reagime.

Prezencën në këtë protestë e kanë konfirmuar Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist përmes një thirrje për protestë në Facebook, për mbrojtjen e vajzave dhe gratë.

Thirrja:

PROTESTË: MBROJTJE PËR VAJZAT DHE GRATË

Sot u lajmëruam se 5 djem e burra e kanë dhunuar një të mitur 11 vjeçare në Prishtinë. Përdhunimi i shumëfishtë ndaj të miturës raportohet të jetë bërë për shtatë orë.

Ky rast i përdhunimit është edhe një alarm që tregon për pasigurinë dhe tmerrin të cilin e jetojnë vajzat dhe gratë në Kosovë, në çdo hapësirë ku ato gjenden. Në Kosovë, rrugët, parqet, sheshet, dhomat e shtëpisë, hapësirat e shkollës a punës janë shpesh edhe vende krimi. Aty vajzat e gratë ngacmohen, dhunohen e vriten. E shteti e shoqëria, përtej sensacionit, heshtin. E kjo heshtje po ua merr sigurinë dhe jetën vajzave e grave.

Përkundër dhunës së dukshme e të përditshme, shteti është duke dështuar që ta trajtojë sigurinë e grave si çështje të sigurisë publike. Raporte të ndryshme tregojnë që rastet e dhunës ndaj grave hasin në neglizhencë institucionale, me dënime të cilat shpesh janë nën ndëshkimet e parapara me ligj. Kjo qasje patriarkale është duke i lënë vajzat dhe gratë pa mbrojtje dhe lehtësisht të dhunueshme.

Kësaj gjendjeje terrori duhet t'i vije fundi. Vajzat dhe gratë në Kosovë nuk mund të jetojnë asnjë ditë tjetër me frikë. Djemtë e burrat nuk mund të amnistohen nga shteti dhe shoqëria për dhunën që ushtrojnë ndaj vajzave dhe grave. Përdhunimi i vajzës së mitur dhe i dhjetra grave tjera veç gjatë këtij viti përveç që na indinjon, na revolton dhe na fton në radikalizim të mjeteve tona të protestës e vetëmbrojtjes.

Të mërkurën, ne mblidhemi në protestë dhe kërkojmë:

1. Mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë;

2. Trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave dhe dënime meritore për dhunuesit;

3. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray).

Përderisa dhuna ndaj nesh veç sa është duke u përshkallëzuar, përgjigjet tona në vetëmbrojtje do të radikalizohen. Aty ku shteti dështon të na mbrojë neve, ne do e mbrojmë vetën me çdo mjet në dispozicion. Deri secila nga ne të jetojë e lirë nga frika dhe dhuna!

Lajme të ngjashme