Tërhiqet ministri Murati, zbatimi i normës tatimore progresive për prona komerciale shtyhet për vitin 2026
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë me dije zbatimi i normës tatimore progresive për prona komerciale është shtyrë për vitin 2026.
Ai ka treguar se një gjë e tillë ka ndodhur pas presionit të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Në një deklaratë për gazetën Nacionale, ai ka tregua qëndrimin e AKK për këtë çështje.
“Pas presionit dhe insistimit të asociacionit të komunave, ministria e financave shtyn për vitin 2026 afatin e zbatimit të normës tatimore progresive për prona komerciale. Në mbledhjen 227 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Transfereve dhe Punës z.Hekuran Murati paraqiti Ligjin e Buxhetit për vitin 2025. Në elaborimin e dispozitave të këtij Ligji, ministri Murati ndër të tjera njoftoj se është futur dispozita që ka të bëjë me shtyrjen e afatit për zbatimin e tatimit të normës tatimore progresive në pronat e paluajtshme komerciale për vitin 2026”, ka thënë Ibrahimi.
Sipas tij, kjo normë tatimore është ngarkesë e rëndë për komunat.
“Siç dihet Asociacioni i Komunave të Kosovës ka lobuar dhe ka argumentuar se kjo normë tatimore është ngarkesë dhe barrë e rëndë e shtuar për pronarët e pronave të paluajtshme komerciale. Asociacioni i Komunave të Kosovës mirëpret këtë vendim të Qeverisë duke vlerësuar se kërkesa jonë ka qenë e arsyeshme dhe e argumentuar me fakte se kjo është e panevojshme në këtë fazë. Vlen po ashtu të ceket se shumica e komunave të Republikës së Kosovës ia kanë ulur tatimin në pronë qytetarëve për rreth 33 %”, ka vlerësuar Ibrahimi.