Teologu Bajrami shkruan disa rrena, thotë se u vra komandanti i ushtrisë izraelite
Teologu Mustafë Bajrami ka publikuar disa të pavërteta të martën në mbrëmje në llogarinë e tij në “Facebook”. Rrenat lidhen me sulmin e Iranit ndaj Izraelit.
“Irani ka nisur bombardimin e Izraelit me raketa balistike. Atmosferë e llahtarshme në mbarë Izraelin. Para një ore mbi Amman të Jordanisë kanë kaluar 43 raketa që shkonin drejt Tel Avivit. 250 raketa deri më tani janë hedhur nga Irani. Raportohet se është vrarë Gjerenal Komandanti i ushtrisë Izraelite, Herzi Halevi. Numri i viktimave po rritet në Izrael. Në ndërkohë, para pak orësh Hizbullahu ka goditur me raketa qendrën e Mosadit brenda Izraelit. Luftë e madhe po niset andej…!!!” – shkroi Bajrami në llogarinë e tij.
Në postimin e Bajramit janë disa të pavërteta. Së pari, ai shkruan se “raportohet” që është vrarë komandanti i ushtrisë izraelite, Herzi Halevi, por nuk tregon se ku është raportuar një “lajm” i tillë bombastik – i pavërtetë.
Përpos kësaj rrene, Bajrami thotë se “250 raketa deri më tani janë hedhur nga Irani”. Shkrimi i tij u publikua në orën 20 e 30 minuta të së martës. Sipas raportimeve të mediave izraelite, Irani ka hedhur 181 raketa drejt Izraelit.
Një rrenë tjetër në shkrimin e Bajramit është fjalia “Numri i viktimave po rritet në Izrael”. Nuk është raportuar për ndonjë viktimë brenda Izraelit nga sulmi i Iranit. Është raportuar për një burrë të vrarë në Gaza nga rënia e mbetjeve të një rakete.
Në fund, Bajrami pretendoi se “para pak orësh Hizbullahu ka goditur me raketa qendrën e Mosadit brenda Izraelit”. Nuk raportohet se është goditur qendra e Mossadit, por vetëm një rrugë jashtë saj, sipas gazetës “The Wall Street Journal”.