“Temat ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë”: Kurti takohet në Stamboll me shkrimtarin Orhan Pamuk
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është takuar me shkrimtarin e njohur fitues të Nobelit, Orhan Pamuk.
Kurti ka thënë se takimi me Pamuk ishte i pabesueshëm. “Tri orë e gjysmë ikën porsi minutat”.
Postimi:
Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë. Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj.