Të shtëna në Virgjinia të ShBA-së, dyshohet për deri në dhjetë të vrarë - NACIONALE

Të shtëna në Virgjinia të ShBA-së, dyshohet për deri në dhjetë të vrarë

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një person i armatosur ka vrarë deri në dhjetë njerëz në një dyqan të kompanisë “Walmart” në Virgjinia të Shteteve të Bashkuara, sipas policisë amerikane.

Një burrë, që besohet se ishte menaxheri i dyqanit, hapi zjarr dhe më pas kreu vetëvrasje, raporton televizioni BBC.

Ka pak hollësi për këtë rast, por një polic tha se nuk janë më shumë se dhjetë të vrarë dhe disa të lënduar. Ende nuk dihet motivi i sulmit.

Policia u tha gazetarëve se sulmi ndodhi në orën 22 e 12 minuta sipas kohës lokale. Në vendin e ngjarjes u panë shumë vetura të policisë.

Zëdhënësi i policisë, Leo Kosinski, tha se besohet që të shtënat kanë ndodhur brenda dyqanit dhe se i dyshuari ka vepruar vetëm.

Një grua e quajtur Joetta Jeffrey i tha televizionit CNN se nëna e saj ndodhej brenda ndërtesës, kur ndodhi sulmi, dhe kishte arritur që t’i dërgonte mesazhe me telefon. Ajo tha se nëna nuk i është lënduar, por është tmerruar.

Sulmi të martën në mbrëmje ndodhi vetëm pak ditë pasi një person i armatosur hapi zjarr në një klub nate për komunitetin LGBT në Kolorado, duke vrarë pesë e duke plagosur 17 persona.

Lajme të ngjashme