Të shtëna drejt ambasadës amerikane në Liban
Një person i armatosur shkrepi me armë drejt ambasadës së ShBA-së në Liban të mërkurën dhe u lëndua gjatë shkëmbimit të zjarrit me ushtrinë.
Ushtria tha se sulmuesi, shtetas sirian, u dërgua në spital për trajtim dhe se forcat e rendit po vazhdonin që ta kontrollonin zonën, raporton agjencia “Reuters”.
Ambasada amerikane tha se “zjarr i armëve të vogla” u raportua në afërsi të hyrjes së saj rreth orës 8 e 34 minuta të mëngjesit sipas kohës lokale, duke shtuar se objekti dhe ekipi ishin të sigurt.
Një burim i sigurisë i tha agjencisë “Reuters” se një pjesëtar i sigurimit të ambasadës u plagos në sulm dhe se ushtria libaneze e plagosi njërin nga sulmuesit në bark dhe se po e kontrollonte zonën për t’i gjetur sulmuesit e tjerë.
Ambasada amerikane shtrihet në veri të Bejrutit në një zonë me siguri të lartë që ka shumë pika kontrolli përgjatë rrugës drejt hyrjes.
Ambasada ishte vendosur atje pas një sulmi vetëvrasës të vitit 1983, kur ishin vrarë më shumë se 60 persona.