Të paktën 33 të vdekur nga vërshimet e rrëshqitja e dheut në Nepal
Së paku 33 persona kanë vdekur nga vërshimet dhe rrëshqitja e dheut në pjesën perëndimore të Nepalit në javën e fundit, sipas raportimeve të medieve lokale.
Pjesa më e madhe e të reshurave sezonale e goditën provincën Karnali, që shtrihet në veriperëndim të vendit, ku mijëra banorë janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre, thanë zyrtarët e Nepalit.
Qindra shtëpi janë dëmtuar nga vërshimet dhe ortekët. Të paktën 22 persona janë ende të zhdukur e dhjetëra të tjerë kanë pësuar lëndime, raporton televizioni BBC.
Ekipet e shpëtimit kanë dhënë se janë ballafaquar me vështirësi për të depërtuar në rajonin malor për shkak të të reshurave të vazhdueshme.
“I kemi mobilizuar policët në terren. Kemi caktuar një helikopter për shpëtim nga ajri nga Surkhet-i. Sidoqoftë, fatkeqësisht, për shkak se moti nuk po përmirësohet, nuk po bëhet përparim siç pritej”, tha një zëdhënës policor.
Ndërkohë agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara thanë se janë duke shpërndarë ushqim e ilaçe në komunitetet më të goditura në perëndim të Nepalit.