Tasholli: Kurti betonizoi një standard, s’ka lidhje çka thua dikur, mundësia e rrenës është shtegdalëse
Analisti Ismail Tasholli, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka krijuar një standard të ri, atë të “rrenës si mundësi shtegdalës”.
Tasholli ka thënë se Kurti ka delegjitimuar qëndrimet e tij mbi të cilat ka ndërtuar narracionin elektoral.
“Dotëthotë, tash e mas s’kemi nevojë t’i dëgjojmë partitë politike kur shpalosin fabulën e tyre për t’mbrri n’pushtet, sepse “alibia” e z.Kurti amniston të gjithë pasardhësit që thonë diçka tjetër e bëjnë diçka tjetër.” – ka shkruar ndër të tjera Tasholli në Facebook.
Shkrimi i plotë:
Delegjitimimi i Kurtit
Përtej diskutimit të Marrëveshjes se a bon a s’bon, z.Kurti e betonizoi një STANDARD në historinë tonë politike: s’ka lidhje çka thua dikur, mundësia e rrenës është shtegdalëse gjithmonë. Edhe pa nevojën e përegjësisë minimale morale.
Dotëthotë, tash e mas s’kemi nevojë t’i dëgjojmë partitë politike kur shpalosin fabulën e tyre për t’mbrri n’pushtet, sepse “alibia” e z.Kurti amniston të gjithë pasardhësit që thonë diçka tjetër e bëjnë diçka tjetër.
Paramendone një këso situate me sytë e maksimës kantiane kur bëhet rregull i përgjithshëm kjo mënyrë sjelljeje.
Nëse z.Kurti ka të drejtë me rrejtë pse nuk kanë të tjerët?
Por, ndërkohë, brenda kësaj metamorfoze ka ndodhur edhe delegjitimimi i tregimeve të tij t’moçme. Ka përmbysur temelet mbi të cilat ka ndërtuar narracionin elektoral.
Tash duhet edhenjëherë t’i matë tregimet e reja me votuesit e vjetër.
