Taksa 10 euro në Prishtinë, Prebreza ia kthen Ramës: 20 euro taksës për hyrje në Fushë Kosovë
Kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, ka reaguar ndaj propozimit për vendosjen e një takse prej 10 eurosh për automjetet e regjistruara jashtë Prishtinës.
Në një postim në Facebook, Prebreza ka ironizuar me këtë propozim, duke theksuar se një vendim i tillë mund të pasohet me masa reciproke.
“Nëse kjo kalon në Komunën e Prishtinës, atëherë unë do të vendosi taksë ditore prej 20 eurosh për të gjithë banorët e Prishtinës që hyjnë në territorin e komunës së Fushë Kosovës, si dhe taksë për hyrjen në rrugën e aeroportit në vlerë prej 10 euro”, ka shkruar Prebreza.
“Çka t’na bjen n’mend ndërkohë”, ka theksuar ai.
Sipas tij, masa të tilla do të ndikonin në lehtësimin e trafikut në komunën e Fushë Kosovës.
“Besoj që këto masa do të ndikojnë në lehtësimin e komunikacionit të stërngarkuar në Fushë Kosovë”, ka deklaruar Prebreza.
Reagimi i tij vjen pas debatit të hapur lidhur me propozimin e Komunës së Prishtinës, konkretisht nenin 14, paragrafi 2 të rregullores, i cili parasheh që çdo automjet i regjistruar jashtë territorit të kryeqytetit të paguajë 10 euro për hyrje në zonat e caktuara.