Takimin me Scholz e me mërgatën: Kurti shkruan për vizitën zyrtare në Gjermani
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dhënë detaje për vizitën e tij zyrtare në Berlin të Gjermanisë.
Kurti ka bërë të ditur për takimin që ka pasur me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me të cilën ka biseduar në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së
“E në margjina të Kongresit, takimi me Kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.” – ka shkruar të hënën Kurti në Facebook.
Tutje, ai ka shkruar edhe për takimin që ka pasur me mërgatën atje, duke thënë se ka biseduar “një mori temash.”
Shkrimi i tij:
Në vizitën e radhës zyrtare në Berlin, së bashku me ministrin Çeku dhe nënkryetaren e dytë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Mrika Limani Myrtaj, pata nderin të marr pjesë në Kongresin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, SPD-së.
E në margjina të Kongresit, takimi me Kancelarin Scholz dëshmoi marrëdhëniet e forta dhe të shkëlqyeshme dypalëshe dhe vizionin e përbashkët si socialdemokrat për zhvillimin dhe rritjen e mirëqenies në të dy vendet.
Fuqizimi i bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat ishte fokus i bisedës dhe me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi si dhe me Kryetarin e SPD-së njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.
Kosova është shtet i së drejtës, demokracisë e barazisë për të gjithë. Biseduam dhe rreth dinamikës e situatës në rajonin e Ballkanit Perëndimor, procesin e dialogut e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian.
Nuk mund të mungonte dhe takimi me mërgatën, ku biseduam mbi një mori temash, i interesuar jo vetëm për t'i informuar me ecurinë e aktualitetin e vendit tonë, por edhe për të dëgjuar rreth jetës e përvojës së tyre, përshtypjeve e ideve të diasporës.