Tahiri: Nëse Kurti themelon Asociacionin do të ballafaqohet me rezistencën e popullit - NACIONALE

Tahiri: Nëse Kurti themelon Asociacionin do të ballafaqohet me rezistencën e popullit

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, ka paralajmëruar kryeministrin Albin Kurti.

Në një intervistë për gazetën Nacionale, ajo ka thënë se nëse në procesin e dialogut me Serbinë kryeministri themelon Asociacionin e komunave me shumicë, ai do të ballafaqohet me rezistencën e popullit.

“Qeveria nuk duhet të bëjë veprime që do ta nxisin reagimin qytetar. Qeveria duhet të jetë e vetëdijshme që në rast se i shkel vijat e kuqe dhe e provon themelimin e asociacionit, do të ballafaqohet me rezistencën e të gjithë popullit dhe gjithë neve politikanëve, që e kemi themeluar këtë shtet dhe e mbrojmë në mënyrë konsekuente. Fundja, Kosova ka dalë nga lufta e përgjakshme, prej një sakrifice sublime të shqiptarëve, prandaj Kurti duhet të mendojë mirë që ta ndryshojë qasjen, të mos e mashtrojë popullin dhe të mos i mbajë gjërat jashtë syve të qytetarëve, sepse çdo punë që punohet prapa kurrizit të popullit, është e pandershme, e rrezikshme dhe do të ndëshkohet”, ka thënë Tahiri.

Ajo ka thënë se qasja e Qeverisë në procesin e dialogut me Serbinë është e rrezikshme.

Tahiri ka thënë se është shqetësues fakti që liderët institucionalë të Kosovës fillimisht e kanë mohuar ekzistimin e planit franko-gjerman për marrëveshjen finale Kosovë - Serbi dhe më pas e kanë pranuar.

Lajme të ngjashme