Tahiri: Heshtja e Kuvendit për liberalizimin e vizave s’i bën hair Kosovës
Diskriminim klasik është quajtur çështja e mosliberalizimit të vizave për Kosovën, nga shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Tahiri gjatë një konference për media ka kërkuar që kryeparlamentari Glauk Konjufca që t’i shkruaj presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtare të BE-së.
“Në kryesi e kam ngritur një kërkesë që Kuvendi përmes kryetarit t’i adresohet presidencës çeke dhe kryeparlamentarëve të vendeve anëtare me një kërkesë të thjeshtë që lidhet me një mosvendim për liberalizimin e vizave, e që për neve është diskriminim klasik”, ka thënë ai.
Tahiri është shprehur se heshtja e Kuvendit për mosliberalizimin e vizave nuk është e drejtë.
“Heshtja e Kuvendit nuk është e drejtë dhe për këtë arsye e ngrita këtë çështje që të ketë adresim serioz. Heshtja jonë nuk i bënë hajr dhe nderë Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Shefi i GP të AAK-së, ka thënë se Qeveria Kurti do të futet në histori si më e dobëta në investimet kapitale, dhe sipas tij Ligji i Pagave ka përfunduar fazën e konsultimit publik, por që nuk po shkon në Kuvend për miratim.
“Ligji i Pagave e ka përfunduar procesin e konsultimit dhe ky ligj ende nuk vjen për miratim në Kuvend. Mosardhja e këtij ligji nënkupton shtyrje edhe për 1 vit për zbatim. AAK-ja kërkon që të vjen në Kuvend ligji. Me ecurinë aktuale, ky s’ka mundësi të futet në miratim më 1 janar”, shtoi ai.
