Sveçla në Turqi, zhvillon dy takime: Nënshkrova marrëveshje për bashkëpunim të ndërsjellë në siguri
Marrëveshje të ndërsjellë për bashkëpunim në fushën e sigurisë mes Kosovës dhe Turqisë, njoftoi të ketë nënshkruar Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në dy takime të zhvilluara në Ankara me Ministrin e Brendshëm dhe Ministrin e Mbrojtjes turk.
“Pas takimit me Ministrin e Brendshëm z. Yerlikaya, nënshkruam edhe marrëveshjen për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme e terrorizmit”, bëri të ditur ai.
Postimi i plotë:
Kisha nderin e veçantë të pritem sot në takime të ndara nga Ministri i Brendshëm i Republikës së Turqisë, Ali Yerlikaya dhe Ministri i Mbrojtjes Kombëtare Yaşar Güler.
Diskutuam për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm që gëzojnë deri tash institucionet tona duke ritheksuar kështu përkushtimin për angazhim të mëtejmë me qëllim të ofrimit të sigurisë dhe mbrojtjes për qytetarët tanë dhe vendin tonë. Duke qenë se u takuam përgjatë kohës që po mbahet panairi Saha Expo 2024, diskutuam edhe për mundësitë që ofron ky panair si dhe nevojat e ngritjes së kapaciteteve tona në fushën e sigurisë.
Pas takimit me Ministrin e Brendshëm z. Yerlikaya, nënshkruam edhe marrëveshjen për bashkëpunim të ndërsjellë në fushën e sigurisë me qëllim të luftimit efikas të krimit të organizuar, migrimit të paligjshëm, trafiqeve të ndryshme e terrorizmit.
Vetëm pak orë pas këtyre takimeve,Turqia u trondit nga sulmi terrorist në Kompaninë Aksionare të Industrive Ajrore Turke në Ankara, ku sipas të dhënave humbën jetën katër dhe u lënduan 14 persona.
Akte të tilla janë një tragjedi jo vetëm për viktimat dhe familjet e tyre, por për të gjithë ne që vazhdojmë të punojmë për paqe dhe siguri. Dënojmë ashpër këtë sulm terrorist dhe shprehim ngushëllime familjeve që humbën më të dashurit e tyre dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë të lënduarve.