Sveçla flet për kërcënimet e sigurisë: Sulmet ndaj policëve në Veri janë të shtyra nga "grupet politike"
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka folur për sulmet ndaj policëve, sidomos në Veri të Kosovës.
Ai ka thënë se këto sulme, janë të shtyra nga “grupet politike”.
“Terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm mbeten kërcënimet më serioze në mbarë botën”, ka thnëë ministri i brendshëm teksa ka folur edhe për Kosovën. Përveç ekstremizmit të motivuar nga keqpërdorimi i religjionit që ka qenë prezent deri tani, format e tjera të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm janë në rritje. Aktet e ndryshme kriminale vazhdojnë të paraqesin kërcënim për sigurinë në Kosovë, përfshirë edhe sulmet e shtyra nga grupet politike që kanë për qëllim destabilizimin e vendit”, tha Sveçla gjatë një konference.
Ai tutje tha se Policia, Prokuroria dhe Gjykatat kanë bërë një punë të mirë në hetimin dhe dënimin e tyre.
“Por duhet bërë edhe më shumë që të jepet mesazh i qartë përballë kësaj veprimtarie. Kemi përdorur edhe qasjen e butë duke iu ofruar të gjithë atyre që ishin pjesë e këtyre organizatave që të jenë pjesë e rehabilitimit dhe riintegrimit. Ky është një program që përveç aktiviteteve specifike adaptohet në bazë të kërkesave që mund të dyfishohen.Bazuar në vlerësimet e deritanishme, programet e rehabilitimit dhe riintegrimit për të kthyerit nga luftërat e huaja, u ka mundësuar atyre rikthim të ngadaltë por të sigurt”.