Sveçla: Drejtësia për sulmin terrorist të 24 shtatorit është e pashmangshme
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në kontekst të vizitës në veri të vendit, ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të punojë për sigurinë e vendit.
“Si Qeveri do të vazhdojmë që me të gjitha kapacitetet tona të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim. Po punojmë pa u ndalur për mirëqenie të qytetarëve tanë, për shërbime efikase ndaj tyre, për sigurinë e tyre e për sigurinë e vendit tonë në çdo cep të tij”, tha Sveçla.
Ministri shprehu vlerësimin e tij për pjesëtarët e Policisë së Kosovës të rënë në detyrë, derisa bërë thirrje për drejtësi në rastin e vrasjes së pjesëtarit të Policisë Afrim Bunjaku, dhe përparim në hetimet për sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Në vijim të vizitës në veriun e vendit tonë ishim edhe në Banjskë të Zveçanit, në vendin e rënies së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Heroit Afrim Bunjaku. Drejtësia për vrasjen e tij dhe për organizimin e sulmit terrorist të 24 shtatorit është e pashmangshme dhe duhet të ndodhë sa më parë, në mënyrë që sulme të tilla të mos përsëriten më asnjëherë. Takuam edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës në pikë kontrollin në Bistricë, të cilët ofrojnë siguri për atë zonë”, ka shkruar Sveçla.