Sulmet raketore në Ukrainë, ndërpresin energjinë elektrike edhe në Moldavi
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Infrastrukturës moldave Andrei Spinu, ka bërë të ditur se pas një sërë sulmesh raketore ruse në Ukrainë edhe Moldavia ka pësuar "ndërprerje masive të energjisë elektrike".
Përmes një postimi në Telegram, Spinu tha se "pas bombardimeve të Rusisë ndaj sistemit energjetik të Ukrainës, është shkëputur edhe një nga linjat e energjisë elektrike që transportonte energji elektrike në Moldavi.”
Më tej ministri ka shtuar se, linja nuk është dëmtuar por është shkëputur automatikisht si masë sigurie dhe se autoritetet janë duke punuar për rivendosjen e lidhjes.
Spinu po ashtu është shprehur se agresioni rus kundër Ukrainës “prek drejtpërdrejt” Moldavinë, duke paralajmëruar se rreziqet e ndërprerjeve të energjisë elektrike mbeten të larta.
"Çdo bombardim rus i termocentraleve ukrainase mund të çojë në një përsëritje të situatës së sotme," ka thënë ai, duke u kërkuar banorëve të vazhdojnë të kursejnë energjinë elektrike.
