Planit të paqes së Zelenskyt, Rusia i përgjigjet me sulme raketore - NACIONALE

Planit të paqes së Zelenskyt, Rusia i përgjigjet me sulme raketore

3 vjet më parë

nga Miranda Shala

Disa orë pasi presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky propozoi një plan paqeje përpara liderëve botërorë në samitin e G20 në Indonezi, Rusia nisi edhe valën më të madhe të saj të sulmeve me raketa në qytetet ukrainase.

Menjëherë pasi presidenti ukrainas përshkroi planin e paqes prej 10 pikash, sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në të gjithë Ukrainën. Plani i Zelenskyt përfshinte edhe tërheqjen e trupave ruse dhe rivendosjen e integritetit territorial të Ukrainës.

Ndërkohë, sipas zëdhënësit të komandës së forcave ajrore ukrainase, Yurii Ihnat, Rusia lëshoi ​​"rreth 100 raketa" në qytete në të gjithë vendin. Sulmet ruse kishin në shënjestër infrastrukturën e energjisë elektrike në disa rajone të vendit, duke e lënë furnizimin me energji elektrike në një gjendje kritike, ku sipas raportimeve rreth 7 milionë banorë kanë mbetur pa furnizim me energji.

Spas një analize të CNN, kjo valë e sulmeve ruse dukej të jetë më e madhja që nga 10 tetori, kur Rusia rriti fushatën e saj për të shkatërruar infrastrukturën e energjisë elektrike, ujit dhe gazit në të gjithë Ukrainën.

Në një video-mesazh të postuar në Telegram, Zelensky tha se deri më tani kishte pasur 85 sulme raketore dhe paralajmëroi për më shumë.

“Ne mund të shohim se çfarë dëshiron armiku, ata nuk do të kenë sukses”, u shpreh ai, duke shtuar se “mund të kemi edhe 20 sulme të tjera, ju lutemi kujdesuni për veten, qëndroni në strehë për ca kohë.”

Ndërkohë, në kryeqytet, Kiev, u bë e ditur se nga sulmet ka humbur jetën një person dhe se katër raketa janë rrëzuar.

Përveç kësaj, është bërë e ditur se vendi është duke përjetuar edhe ndërprerje të madhe të internetit.

Fjala e Zelenskyt në G20

Sipas një transkripti të ndarë nga Ambasada e Ukrainës në Indonezi, të martën Zelensky paraqiti një propozim për t'i dhënë fund pushtimit rus në Ukrainë.

Gjatë fjalimit, është bërë e ditur se plani i paqes ka 10 hapa, duke përfshirë një rrugë drejt sigurisë bërthamore, sigurinë ushqimore, një Gjykatë Speciale për krimet e luftës ruse dhe një traktat përfundimtar të paqes me Rusinë.

Presidenti ukrainas, po ashtu ka kërkuar nga liderët e G20 që të përdorin të gjithë fuqinë e tyre për ta "bërë Rusinë të braktisë kërcënimet bërthamore" dhe të zbatojë një kufi çmimi për energjinë e importuar nga Moska.

Po ashtu, Zelensky ka bërë thirrje ndaj Rusisë që të ndalojë bombardimin e infrastrukturës energjetike të Ukrainës me afrimin e dimrit.

“Rusia le të provojë se është me të vërtetë e interesuar për rivendosjen e paqes”, është shprehur ai.

Në samitin e këtij viti të G20, Moska ishte izoluar, pasi shumë liderë perëndimorë janë zotuar të mos kenë asnjë kontakt me ministrin e saj të Jashtëm Sergej Lavrov, i cili është i pranishëm në emër të Kremlinit.

Lajme të ngjashme