Subvencionim 70 euro për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private për familjet me të hyra nën 500 euro në Prishtinë, njofton Musmurati
Është hapur thirrja për subvencionim me nga 70 euro për regjistrim të fëmijëve në çerdhe private për familjet që kanë fëmijë të moshës prej 9 muajsh e deri në 6 vjeç e që gjenerojnë të hyra nën 500 euro në Prishtinë, njoftoi Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Besianë Musmurati, në një konferencë për media.
“Kjo është një metodë e re dhe alternative që të rrisim përfshirjen sa më të madhe të fëmijëve të Prishtinës në edukim të hershëm, që asnjë fëmijë të mos mbetet mbrapa. Pra, secila familje e Prishtinës, që ka fëmijë të moshës nga 9 muaj deri në 6 vjeç dhe ka të hyrat familjare nën 500 euro, do të përfitojë 70 Euro për të regjistruar fëmijën e tyre në cilëndo çerdhe private të licencuar të Prishtinës”, ka thënë Musmurati.
“Kategoritë të cilat do të kenë përparësi janë nënat vetëushqyese, fëmijët bonjakë, fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e prindërve të divorcuar, fëmijët e invalidëve të luftës së UÇK-së si dhe fëmijët e veteranëve të luftës së UÇK-së”.