Stoltenberg flet për Kosovën e Serbinë: Përmbahuni nga veprimet që mund të eskalojnë tensionet - NACIONALE

Stoltenberg flet për Kosovën e Serbinë: Përmbahuni nga veprimet që mund të eskalojnë tensionet

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka folur edhe një herë për situatën në Kosovë, duke kërkuar nga të gjitha palët që të përmbahen prej retorikës nxitëse.

Stoltenberg është pyetur rreth situatës në Ballkanin Perëndimor, prej ku ka thënë se palët duhet të përmbahen edhe nga veprimet që mund të eskalojnë tensionet.

“Kemi parë rritje të tensioneve në Kosovë dhe pjesë të tjera të Ballkanit Perëndimor përgjatë muajve të fundit. E kam vizituar rajonin pak para Krishtlindjeve. Mesazhi im kryesor është që të gjitha palët duhet të përmbahen nga retorika nxitëse dhe çdo veprim që mund të eskalojë tensionet në rajon.” – ka thënë ai.

Ai po ashtu ka kërkuar nga palët që t’i përkushtohen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

“Dhe kur vjen fjala te Kosova, rruga përpara është dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes Kosovës dhe Serbisë dhe inkurajoj Prishtinën e Beogradin që të përkushtohen në besim të mirë në këtë dialog. Si rezultat i sulmeve dhe dhunës që kemi parë në Kosovë gjatë vitit të kaluar. Aleatët e NATO-s kanë rritur prezencën e tyre.” – ka thënë ai.

Në fund, Stoltenberg ka folur për misionin e KFOR-it:

“Misioni i KFOR-it është atje, është atje për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitete. Ne kemi shtuar gati një mijë trupa për të siguruar që mund të vazhdojmë dhe të zhvillojmë përmes mandatit tonë të Kombeve të Bashkuara”.

Lajme të ngjashme