Spahiu: Pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, zgjedhjet në Kosovë nuk do të jenë legjitime
Nexhmedin Spahiu, njohës i çështjeve politike në Kosovë, ka deklaruar se pa pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të planifikuara më 23 prill, këto zgjedhje nuk do të jenë të efektshme dhe legjitime.
Gjatë një interviste të ftuar në emisionin "Konfront" të KTV-së, Spahiu ka bërë thirrje për veprime të ndryshme për të garantuar që zgjedhjet të jenë legjitime.
Ai ka sugjeruar se Kosova duhet të "krehë" veriun, në kuptimin që duhet të neutralizojë strukturat paralele dhe bandat e Vuçiqit, në mënyrë që ata të mos mund të pengojnë qytetarët të dalin në zgjedhje.
“Pa pjesëmarrjen e Listës Serbe nuk besoj se mund të prodhohen zgjedhje efektive legjitime së pari, pasi që Lista Serbe do të pengojë shumicën e qytetarëve të përkatësisë etnike serbe që dalin në votim." - ka deklaruar ai.
"Duhet të bëhet një veprim. Ose duhet Kosova njëherë me “krehë” veriun, në kuptimin që strukturat paralele dhe bandat e Vuçiqit me i neutralizu, me i arrestu në mënyrë që askush të mos i pengojë qytetarët për të dalë në zgjedhje ose duhet me u marrë vesh me Listën Serbe. Këto janë dy mënyra për të prodhuar zgjedhje legjitime" - pohoi Spahiu.