Sot ia bëri “tag” në postim, tri orë më vonë Rama e shkarkoi drejtorin e PDK-së në Prishtinë
Pak më parë, Përparim Rama, kryetar i Komunës së Prishtinës, përmes një postimi në Facebook njoftoi se e ka liruar nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, që vjen nga radhët e PDK-së.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të gjendjes aktuale alarmante në Kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave. Si Kryetar i Kryeqytetit, tash e një vit kam kërkuar në vazhdimësi nga drejtoria përkatëse zgjidhje të kësaj situate alarmante dhe të papranueshme. Por, përkundër të gjitha këtyre kërkesave, gjendja jo që nuk është përmirësuar, por përkundrazi është përkeqësuar.
Andaj, sot, kam marrë VENDIM për të liruar nga detyra Drejtorin e Shërbimeve Publike.” – shkroi Rama.
Por tri orë më herët, pra sot, Rama e kishte bërë një postim në lidhje me drejtorinë që e udhëhiqte deri sot Musliu. Në postimin për zgjatjen e transportit publik deri në Hajkobillë, Rama ia kishte bërë “tag” Musliut.
“Zgjatet linja 15 e autobusit deri në fshatin Hajkobillë! ✨🚌
Me vendimin që kam marr, kjo linjë e autobusëve e Trafikut Urban ju mundëson të gjithë banorëve të zonës qasje më të lehtë në transport publik, rrjedhimisht qasje më të lehtë në shërbime, punë, arsim dhe aktivitete të tjera esenciale.” – shkroi në postim Rama.