'Fshesa' e Kurtit dhe Haxhiut në diplomaci, Muharremi: Këto veprime janë kapje të shtetit – duhet me i ndeshku votuesi
Analisti Shenoll Muharremi ka reaguar pas raportimit të Gazetës Nacionale se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shkarkuar ambasadorin e Kosovës në Misionin e Posaçëm në Vatikan, Vehbi Miftaraj, ndërsa priten edhe shkarkime të tjera në diplomaci.
Në një reagim në Facebook, Muharremi i ka quajtur të papranueshme veprimet e tilla në një periudhë kur, sipas tij, vendi ndodhet në rrethana institucionale të kufizuara dhe kur pushteti nuk e ka më shumicën politike prej 51 për qind.
“Sot askush më nuk i ka 51%”, ka shkruar ai.
Muharremi ka thënë se një qeveri e dorëhequr dhe një ushtruese detyre në krye të Presidencës nuk duhet të ndërmarrin vendime të rëndësishme, përveç kryerjes së funksioneve bazike të institucioneve.
“Njëri prej tyre është me qeveri të dorëhequr, ku duhet kryesisht detyrat minimale të funksionimit me i përfundu, asgjë tjetër. E tjetri është vetëm ushtrues detyre”, ka shkruar ai.
Ai ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë, duke e lidhur këtë veprim me përpjekje për kapje të institucioneve publike në fund të mandatit.
“Kjo, këto veprime, janë kapjt të shtetit. Ti po i instalon njerëzit tu politik në institucione publike e kur as mandat nuk ke më. Më herët gjatë 2025 edhe drejtorë të administrave kryesore të shtetit instaluan kur ishin vetëm kujdestarë”, ka shkruar Muharremi.
Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re dhe presidentit, Muharremi kujtoi se institucionet nuk mind të marrin vendime të mëdha.
“Asnjë veprim të rëndësishëm nuk duhet me ndërmarë në këto momente derisa zgjidhjet Qeveria e Re dhe Presidenti. Vetëm mundeni me i kry funksionet bazike”, ka thënë ai.