S’kalon mocioni i PDK-së për të diskutuar arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Gati krejt VV-ja voton kundër - NACIONALE

S’kalon mocioni i PDK-së për të diskutuar arrestimin e kryeshefit të KEK-ut: Gati krejt VV-ja voton kundër

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar në seancën e sotme një mocion për të diskutuar rreth arrestimit të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Megjithatë, i njëjti nuk ka kaluar.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë të ditur se 77 deputetë morën pjesë në votim, 32 për, dhe 45, këta nga Lëvizja Vetëvendosje, votuan kundër.

“Është e dëmshme të votohet kundër një debati me ministren që mbulon sferën e energjisë në Kosovës…Është hera e parë, që korporata drejtohet nga një zyrtar i lartë të një partie politike, pra nga drejtuesi i Komitetit për Energji në LVV.” – tha shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pasi mocioni nuk kaloi.

Veç kësaj, Tahiri ka konfirmuar se PDK-ja nuk do të vazhdojë të qëndrojë ne seancë pas deklarimeve të rendit të ditës, pikërisht për shkak të kësaj.

“Si Grup Parlamentar pas deklarimeve të rendit ë ditës nuk do të vazhdojmë të qëndrojmë në këtë seancë, sepse është e pakuptimtë të diskutojmë çështje të tjera kur neve si opozitë na mohohet një e drejtë fundamentale për një debat parlamentar për arrestimet e djeshme.” – tha ai.

Ndërkohë, Departamenti i Krimeve Ekonomike i Policisë së Kosovës zbarkoi gjatë ditës së djeshme në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) dhe kryen bastisje.

U bë e ditur se hetimet u kryen për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të një tenderi për remontin e Bllokut A5 të Termocentralit “Kosova A”.

Edhe më parë, Nacionale kishte raportuar gjerësisht në lidhje me shtyrjen e vazhdueshme të remontit në këtë bllok, derisa ka pasur shfajësime të ndryshme edhe nga zyrtarë të pushtetit përfshirë z. Besnik Bislimi.

Gazeta kishte mësuar që humbjet nga mosfunksionalizimi i këtij blloku ishin rreth një milion euro në ditë.

E gjatë ditës së sotme, Policia e Kosovës nisi bastisjen në ambientet qendrore Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) në Prishtinë, ku më pas u mësua edhe për arrestimin e drejtorit ekzekutiv, Nagip Krasniqi.

Një burim i mirinformuar i gazetës Nacionale brenda policisë ka bërë me dije se dyshimet ndaj Krasniqit kanë të bëjnë me kontratat për renovimin e kaldajave së bllokut A5.

Lajme të ngjashme