S’ka nxënës, tri shkolla rrezikojnë të mbyllen në Suharekë
Tri shkolla rrezikojnë të mbyllen në Komunën e Suharekës për shkak të numrit të ulët të nxënësve. E pikërisht për këtë, ka bërë që kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj ta mendojë si opsion bartjen e nxënësve në shkollat që ka më shumë, raporton Ekonomia Online.
Në një prononcim për Ekonomia Online, i pari i Suharekës ka thënë se çdo vit kanë të regjistruar më pak nxënës se vitin paraprak.
Muharremaj ka bërë të ditur se ka shkollë që i ka vetëm pesë nxënës dhe se cilësia aty lë shumë për të dëshiruar.
Duke marrë si shembull një fshat të kësaj komune, Muharremaj ka thënë se aty mësimi mbahet nga klasa e parë deri të pestën.
“Është një trend jo vetëm në Suharekë, por në të gjitha komunat e Kosovës, do me thënë nataliteti ka ra. Kur bie nataliteti kuptohet që edhe numri i nxënësve mungon, ne e përcjellim gjeneratë pas gjenerate, çdo vit kemi të regjistruar në klasë të parë ose në shkollë fillore më pak, është e vërtetë që kemi rrezik diku në tri shkolla e kemi pas Dragaçinën, është një fshat ose një lagje e që ka qenë e shkollës që është në Duhël, mirëpo ajo shkollë është rreziku pasi kanë mbet shumë pak familje në atë fshat, një e kemi edhe në Vushec, do me thënë në shkollë në Dolloc jemi duke e shqyrtuar rastin… Aty diku më 24-25 shtëpi, aty kemi pas prej klasës së parë deri në të katërtën apo të pestën, e që nxënësit bëjnë për me shku në Mushtisht, por nganjëherë me thënë të drejtën s’ka mësim cilësor aty ku ka 4-5 nxënës dhe është shumë problem, atëherë më mirë është me u organizua Komuna me e bë bartjen e nxënësve, me shku atje ku ka më shumë nxënës, cilësia në arsim është më e mirë”, ka thënë Muharremaj.
E mundësinë për bartjen e nxënësve, Muharremaj ka thënë se do ta diskutojë me bordin e shkollës e me prindërit. Ai shpreson që të arrihet një marrëveshje me ta.
“Ne bisedojmë së pari me bordin e shkollës, bisedojmë më prind, ma shumë se prindërit që i duan fëmijët e vet nuk i don askush, kështu që në marrëveshje dhe në darkordim me të gjithë bashkë, mirëpo ne bartëm numrin më të madh të shkollave në komunën e Suharekës, sidomos në viset malore, edhe pse është e paraparë në tri kilometra ne dikund, bëjmë shkelje edhe në dy kilometra, për shkak të qenve endacak dhe për shkak të kushteve atmosferike, atëherë kemi fillu bartjen e nxënësve se e kemi edhe obligim, për shkollat fillore”, u shpreh Muharremaj.