S'ka kuorum, mbyllet seanca e Kuvendit
Kuvendi i Kosovës i ka ndërprerë punimet e seancës plenare për shkak të mungesës së kuorumit.
Kryetari Glauk Konjufca ka thënë të mërkurën se do të lajmërojë deputetët për vazhdimin e seancës në një ditë tjetër.
“Nëse deputetët e opozitës nuk votojnë, atëherë konsideroj që nuk ka kuorum të mjaftueshëm për të proceduar kështu që këtë seancë e vazhdojmë në një ditë tjetër kur t’iu lajmëroj”, ka thënë Konjufca.
Ndryshe, sot në seancën e Kuvendit janë miratuar disa ligje që kishin mbetur të grumbulluara në seancat e kaluara.
Në mesin e pikave të miratuara, ishte edhe ajo për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë.
Në këtë ligj, 58 deputetë votuan pro, kurse tre abstenuan. Në mesin e të cilëve edhe Glauk Konjufca e Doarsa Kica-Xhelili.