“Sjellje vetëshkatërruese”, Behrami: Kurti ia hoqi kushtet Serbisë, sot po ia vendos SHBA-së
Deputet i PDK-së, Artan Behrami, ka komentuar reagimin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti ndaj deklaratës së presidentit të ShBA-së, Donald Trump lidhur me dialogun Kosovë – Serbi.
Ai ka bërë me dije se Kurti i ka vendosur kushte ShBA-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Behrami ka shkruar se kjo është një qasje e dëmshme për Kosovën.
“Pashë shumë reagime, pas deklaratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Jo vetëm të qytetarëve, por edhe të një deputeti në detyrë që ka uzurpuar zyrën e kryeministrit e që po sillet si pronar i shtetit! Dikur, çdo hap politik dhe ushtarak në Kosovë e kemi ndërtuar në koordinim të ngushtë me Uashingtonin. Bashkë i kemi fituar të gjitha betejat! SHBA-ja kishte dhe ka rol vendimtar në çdo zgjidhje për Ballkanin pas Luftës së Ftohtë. Sot, kemi një pengmarrës të shtetit që bën gjithçka që ta largojë Amerikën nga Kosova”, ka shkruar ai, duke përmendur pasojat e deklaratës së Kurtit.
“Një sjellje vetëshkatërruese që ka më shumë lidhje me frikën personale, sesa me interesin shtetëror. Çfarë bën Kurti pas deklaratës së Trump? I vendos kushte Amerikës! • Kërkon dorëzimin e Radoiçiqit, të cilin vetë e kishte amnistuar. • Kërkon nënshkrim për Marrëveshjen e Ohrit, të cilën e ka pranuar, pastaj mohuar, pastaj kërkuar garant, tani nënshkrim, më pas vulë. Pasnesër një noter! • Tërheqja e letrës së Bernabiçit befas u bë pengesë!Natyrisht që bëhet, sepse ka pranuar largimin e njohjes reciproke nga marrëveshja. Ky është ai që në vitin 2020 ia hoqi Serbisë të gjitha kushtet: kërkimfaljen, të pagjeturit, dëmet e luftës. Sot e përdor kushtëzimin vetëm si perde për t’u fshehur”, ka shkruar ai.