“Si mund të vazhdohet kështu?”, Zogiani i VV-së e kritikon PZAP-në, por nuk i di kompetencat e këtij institucioni
Zëvendësministri i Financave, Avni Zogiani ka kritikuar Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa pse nuk po merret me ankesa e kandidatëve për deputetë.
Duke përmendur pretendimet publike të disa kandidatëve të LDK-së se votat me zarfe nga diasporës janë të manipuluara, ai ka kërkuar veprimin e PZAP-së.
Zëvendësministri duket se nuk i di kompetencat e këtij institucioni, i cili aktivizohet vetëm kur në mënyrë formale partitë ose kandidatët për deputet adresojnë ankesa të bazuara në fakte.
“Dy kandidatë nga Lista e LDK, pra nga brenda, thonë se votat me zarfa të Diasporës janë manipuluar nga vetë LDK, e si mund të vazhdohet kështu PZAP kur ka dyshime të evidentuara për manipulim të dhjetëra mijëra votave?!”, ka shkruar Zogiani.
Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë përcakton kompetencat e PZAP-së.
Në nenin 115 të këtij ligjit tregon me llojin e ankesave që merret ky institucion.
“PZAP është organ i përhershëm i pavarur kompetent për të vendosur në lidhje me ankesat e lejuara që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor siç është caktuar me këtë ligj dhe rregullat zgjedhore”, thuhet në nenin 115.
Kurse, në 118 të këtij ligji thuhet se PZAP merret me ankesa të bazuara.
“PZAP-ja pranon ankesat e bazuara në fakte dhe refuzon ankesat të cilat nuk përmbushin kriteret e miratuara paraprakisht”, thuhet në këtë nen.