Shtyhet procesit mësimor deri më 12 janar për shkak të reshjeve të dendura dhe vërshimeve
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka njoftuar se fillimi i procesit mësimor për gjysmëvjetorin e dytë shtyhet deri të hënën, më 12 janar 2026. Vendimi është marrë si pasojë e reshjeve të fundit atmosferike dhe situatës së rënduar në disa zona të vendit.
Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se vërshimet, qarkullimi i vështirësuar dhe parashikimet për reshje të vazhdueshme edhe në ditët në vijim kanë pamundësuar fillimin e mësimit sipas planifikimit fillestar.
Në këtë kontekst, MAShTI ka vendosur që pushimi dimëror të vazhdojë edhe për dy ditë shtesë, përkatësisht më 8 dhe 9 janar, në nivel vendi. Mësimi për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të rifillojë të hënën, më 12 janar 2026.