Shtatë fëmijë vriten nga sulmi i regjimit ushtarak në një shkollë në Mianmar - NACIONALE

Shtatë fëmijë vriten nga sulmi i regjimit ushtarak në një shkollë në Mianmar

1 javë më parë

nga NACIONALE

Helikopterët qeveritarë kanë sulmuar një shkollë në pjesën veriore të Mianmarit (ish-Birmanisë), duke vrarë të paktën 13 persona, përfshirë shtatë fëmijë. Ky mund të jetë sulmi më vdekjeprurës ndaj fëmijëve që nga ardhja në pushtet e regjimit ushtarak vitin e kaluar.

Administratorja e shkollës tha se po mundohej që t’i fshihte fëmijët në vende të sigurta, kur dy nga katër helikopterët qeveritarë të tipit “Mi-33” kaluan mbi fshatin Let Yet Kone dhe filluan të sulmonin të premten.

Ajo tha se helikopterët filluan të sulmonin me mitralozë dhe armë të rënda në drejtim të shkollës, që ka 240 nxënës, nga çerdhja deri në klasën e tetë, shkruan “The Guardian”, përcjell Nacionale.

Kombet e Bashkuara kanë dokumentuar 260 sulme ndaj shkollave dhe personelit arsimor që nga koha kur ushtria e rrëzoi qeverinë e zgjedhur të zonjës Aung San Suu Kyi në shkurtin e vitit të kaluar, por kjo do të ishte shifra më e lartë e fëmijëve të vrarë.

Administratorja e shkollës tha se ajo nuk priste probleme, pasi helikopterët kishin fluturuar edhe më parë mbi fshat pa shkaktuar ndonjë incident. “Pasi nxënësit nuk kanë bërë asgjë të gabuar, kurrë nuk mendoja se ata do të qëlloheshin në mënyrë brutale nga mitralozët”, tha ajo.

Lajme të ngjashme