Shqiprim Arifi: Mjetet e ndara nga Qeveria Kurti për vizita në ShBA kanë përfunduar në xhirollogarinë e familjarit të Bislimit
Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi ka thënë se sa herë që Qeveria Kurti ka ndarë mjete financiare për “lobim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Washington”, kanë përfunduar në llogarinë bankare të Faton Bislimit, që sipas tij është i afërt me zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Arifi përmes një postimi në Facebook, ka treguar se Qeveria Kurti ka ndarë 150 mijë euro për 3 vizita, dhe sipas tij në vendim thuhet se paratë do të transferohen në llogarinë bankare të përcaktuar prej tyre.
Ai tutje ka thënë se ish-kryetari i Këshillit Kombëtare Shqiptar, Ragmi Mustafi ka thënë se mjetet e ndara nga Qeveria Kurti kanë përfunduar në "Washington International Affairs Institute".
Në fund Arifi ka shpjeguar se kjo kompani është e regjistruar në emër të Faton Bislimit që është i afërt familjarisht me Besnik Bislimin.
Postimi i plotë:
Saherë që Qeveria Kurti ndante mjete për të ashtuquajturin “lobim të shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Washington”, mjetet financiare - rreth 150 mijë euro, derdheshin në llogarinë bankare të Faton Bislimit, familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
Më lejoni të theksoj se çdo ndihmë nga Qeveria e Kosovës për shqiptarët e Luginës është e nevojshme dhe e domosdoshme. Mirëpo, transparenca për taksapaguesit kosovarë, motrat dhe vëllezërit tanë në Republikën e Kosovës, asesi nuk duhet anashkaluar, ashtu si në vjedhjen klasike të 1.2 milion eurove të Fondit të Kosovës, të cilat tani i gjeni në xhepat e eksponentëve të Partisë për Veprim Demokratik; të deputetit në parlamentin serb Shaip Kamberi, si dhe kryetaren e degës së PVD-së në Preshevë, njëherit këshiltare e Kryeministrit Kurti, Ardita Sinani.
Por ajo çka do të doja të sqaroja më mirë është pse pikërisht fondet e dedikuara për shqiptarët e Luginës duhet të derdhen në llogarinë bankare të familjarit të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi?
Si 150 mijë euro për 3 vizita?
Apo pse këto vizita nuk janë paguar nga buxheti i Këshillit Kombëtar apo Komuna e Bujanocit, por pse jo edhe nga buxheti i Komunës së Preshevës? Personalisht do të isha i gatshëm ti ofroja ndihmë në këtë çështje.
Një shpjegim i shkurtur rreth dokumenteve të bashkangjitura:
1. Vendimi i Qeverisë Kurti për ndarjen e mjeteve në emër të Këshillit Kombëtar Shqiptar – i cili udhëhiqej nga partia e këshilltares së kryeministrit Kurti për Luginën e Preshevës, ku theksohet se mjetet financiare do të transferohen në llogarinë bankare të përcaktuar prej tyre.
2. Dokumenti ku ish-kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Ragmi Mustafi - bashkëpartiak i ngushtë i këshilltarës së Kryeministrit, ka pohuar se mjetet e Qeverisë Kurti janë derdhur tek "Washington International Affairs Institute".
3. Dokumenti që tregon se "Washington International Affairs Institute" është në fakt një kompani L.L.C e regjistruar nga Faton Bislimi më 3 shtator të vitit 2021. Më interesant fakti është se si për kompaninë në fjalë është zgjedhur një emër thuajse i ngjajshëm me Institutin e themeluar në vitin 1961 me emrin "Washington Institute of Foreign Affairs" për të pasqyruar një seriozitet të kësaj kompanije të Faton Bislimit
