Shqipëria kërkon llogaridhënie për sulmin në Banjskë: Duhet llogaridhënie e plotë - NACIONALE

Shqipëria kërkon llogaridhënie për sulmin në Banjskë: Duhet llogaridhënie e plotë

2 ditë më parë

nga NACIONALE

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka kërkuar llogaridhënie të plotë për sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, ku më 24 shtator 2023 u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa u plagosën edhe zyrtarë të tjerë policorë.

Në një komunikatë me rastin e trevjetorit të sulmit, Ministria e Jashtme shqiptare thekson se të gjithë personat përgjegjës për planifikimin, organizimin, financimin dhe kryerjen e sulmit duhet të përballen me drejtësinë.

“Sulmi në Banjskë nuk ishte vetëm një sulm ndaj forcave policore të Kosovës. Ai ishte një sulm ndaj sundimit të ligjit, ndaj paqes dhe sigurisë, si dhe ndaj përpjekjeve për të ndërtuar stabilitet të qëndrueshëm dhe normalizim në rajon”, thuhet në komunikatë.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, zbardhja e plotë e rrethanave të sulmit dhe vendosja para drejtësisë e përgjegjësve janë të domosdoshme për të shmangur përsëritjen e akteve të dhunës dhe frikësimit.

Tirana vlerëson gjithashtu se drejtësia dhe dialogu nuk janë procese të kundërta. “Drejtësia nuk është dhe nuk duhet të jetë kurrë pengesë për dialogun”, thuhet në deklaratë, ku nënvizohet se llogaridhënia përbën një nga themelet për dialog të besueshëm, ndërtimin e besimit të ndërsjellë dhe pajtimin afatgjatë në rajon.

Ministria shqiptare thekson se pa llogaridhënie nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm, normalizim të marrëdhënieve dhe pajtim të vërtetë.

Lajme të ngjashme