Shqipëria e hap shkollën për pilotë, Rama e fton edhe Kosovën
Shqipëria e ka hapur Shkollën Kombëtare të Fluturimit, e cila synon të shërbejë edhe si qendër rajonale trajnimi për pilotë dhe kontrollorë fluturimi.
Në ceremoninë e mbajtur në Komandën e Forcës Ajrore në Rinas, kryeministri Edi Rama tha se Tirana do ta ftojë edhe Kosovën, nëse ka interes që pjesëtarët e saj të trajnohen dhe certifikohen në këtë shkollë. Sipas tij, e njëjta mundësi do t’u ofrohet edhe vendeve të tjera fqinje që janë anëtare të NATO-s.
Forca e Sigurisë së Kosovës aktualisht nuk ka aeroplanë apo helikopterë ushtarakë, por pjesëtarët e saj janë dërguar më parë në trajnime ndërkombëtare për pilotë, përfshirë edhe në Shqipëri.
Qeveria shqiptare e ka cilësuar hapjen e shkollës si pjesë të modernizimit të Forcës Ajrore dhe forcimit të kapaciteteve mbrojtëse. Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, tha se programi do të përgatisë pilotë dhe kontrollorë fluturimi sipas metodologjive të NATO-s.
Në programin e parë do të përfshihen 25 kandidatë. Forca Ajrore Shqiptare pritet të nxjerrë nga pesë pilotë të trajnuar në vit, për pesë vitet e ardhshme. Shkolla do të përgatisë edhe personel teknik për mirëmbajtjen e dy helikopterëve mësimorë Bell 505.
Rama tha se projekti është realizuar me mbështetjen e kompanisë izraelite “Elbit Systems”, të cilën e përmendi si një prej aktorëve të rëndësishëm në industrinë ushtarake. Sipas tij, pilotët që do të dalin nga kjo shkollë do të kenë aftësi për të shërbyer edhe në kuadër të NATO-s.
Qeveria shqiptare ka rritur së fundmi buxhetin për mbrojtje me rreth 110 milionë euro shtesë, me synimin që financimi i sektorit të arrijë në 2.6 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Rama paralajmëroi gjithashtu shtimin e helikopterëve Black Hawk nga Shtetet e Bashkuara, pa dhënë numër të saktë.
Shqipëria synon të zgjerojë kapacitetet e saj ushtarake edhe përmes Shkollës Kombëtare të Forcave Speciale, e cila po ashtu planifikohet të hapet në bashkëpunim me “Elbit Systems” dhe të jetë e hapur për Kosovën dhe vendet aleate të rajonit.