Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë - NACIONALE

Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shqipëria do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Shtimi i trupave të KFOR-it në Kosovë po ndodhë veçanërisht pas sulmit terrorist serb, më 24 shtator në Banjskë të veriut të Kosovës.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj duke folur për situatën e sigurisë në Kosovë, thekson se rreziku për ndonjë sulm tjetër nga Serbia mund të jetë permanent.

Diplomati shqiptar thekson për KosovaPress, se vitin tjetër do të sjellin edhe 40 trupa shtesë në kuadër të KFOR-it.

“Ne kemi një numër të caktuar të ushtarëve, në fakt kemi mbi 100 ushtarë në Pejë dhe në komandën e KFOR-it. Kam pasur takim me komandantin e KFOR-it dhe Shqipëria gjithmonë i ka qëndruar mendimit që KFOR-i duhet të forcojë praninë e tij dhe të jetë i pranishëm ku do në Kosovë për të realizuar misionin e tij që ka për siguri dhe të paqes për të gjithë qytetarët në Kosovë”

“Mendoj se KFOR-i po e bënë këtë, ka rritur forcat dhe prania e saj në veri të Mitrovicës ndjehet më shumë, pikërisht duke parë edhe rrezikun, por nga ana tjetër edhe duke pasur idenë e tyre për të zbatuar sa më mirë misionin që ata kanë në Kosovë. Ne do të sjellim sërish trupa në vitin tjetër”

“Kështu Shqipëria edhe në vitin tjetër do të sjellë trupa shtesë në kuadër të KFOR-it për të qenë gjithmonë brenda detyrimeve të saj që ka si një shtet anëtar i NATO-s dhe aleat i fuqishëm i perëndimit. Ne në vitin tjetër do të sjellim edhe 40 forca”, deklaron Malaj.

Lajme të ngjashme