Shqetësimet rreth votave me postë, KQZ: Procedurat janë zhvilluar sipas Ligjit për Zgjedhjet
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar procesin e votimit nga diaspora, duke theksuar se të gjitha procedurat janë zhvilluar sipas Ligjit për Zgjedhjet dhe me masa të shtuara sigurie.
Sipas KQZ-së, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë përmes postës ose në përfaqësi diplomatike, ndërsa regjistrimi përfshin verifikime të rrepta, përfshirë fotografimin e aplikuesit me dokument identifikimi dhe dërgimin e një dëftese unike regjistrimi me email.
Komunikata e plotë:
Pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me mënyrën e organizimit të votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të jap sqarimet si në vazhdim.
Së pari, në përmbushje të detyrimeve që dalin nga Ligji Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, i miratuar në vitin2023, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka ndërmarrë hapat konkretë për të mundësuar regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, për të votuar fizikisht në përfaqësitë diplomatike apo përmes postës dhe organizimin e votimit. Gjithashtu, KQZ, përmes procedurave standarde të veprimit, ka rregulluar çështjen e tërheqjes së pakove me fletëvotime nga kutitë postare, të cilat i takojnë votimit me postë.
KQZ është kudjesur që procesi i regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës të përmbushë disa aspekte sigurie, në mesin e të cilave është fotografimi i aplikuesit derisa mban dhe njëkohësisht prezanton dokumentin e tij të identifikimit. Aplikuesi nuk mund ta ngarkojë fotografinë, por ai/ajo, duhet të fotografohet në momentin kur hapet kamera e platformës për regjistrim. Po ashtu, si masë sigurie, çdo aplikues i regjistrur suksesshëm si votues me postë jashtë Kosovës, pranon në e-mailin e tij dëftensën e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike për çdo votues, i cili është i domosdoshëm që pako me fletëvotim, e dërguar nga votuesi, të kalojë procesin e verifikimit të vlefshmërisë.
Së dyti, për votimin në përfaqësi diplomatike, KQZ ka miratuar listën prej 30 qendrave të votimit (17 ambasada dhe 13 konsullata), ndërkaq për votimin përmes postës, KQZ, përveç kutisë së përhershme postare në Kosovë, ka hapur kutitë postare në 22 shtete të ndryshme të botës, në të cilat votuesit kanë mundur të dërgojnë pakon e tyre me fletëvotim.
Së treti, për rritjen e sigurisë në votimin përmes postës, KQZ, nga Zgjedhjet Lokale 2025 ka filluar t’ju dërgojë votuesve të regjistruar fletëvotimin e shtypur nga KQZ, i cili, ashtu si fletëvotimet që përdoren në vendvotime në Kosovë, përmban elemente të ndryshme sigurie. Kjo praktikë, edhe përkundër kohës së shkurtër në organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, është ndjekur në dy proceset e fundit zgjedhore për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura në dhjetor dhe qershor. Pako që përmban fletëvotimin dhe udhëzuesin për votim, dërgohet përmes operatorit ekonomik në adresën e votuesit të regjistruar, e cila, sipas procedurave të KQZ-së, duhet të pranohet nga votuesi i regjistruar. Detyrë e votuesit është që në këtë pako të vendosë: (1) fletëvotimin e vendosur në zarfin e fshehtësisë, në të cilin nuk shkruan asgjë, dhe (2) dëftesën e regjistrimit të cilin e ka pranuar nga KQZ. Këtë pako, votuesi duhet ta dërgojë në adresën e kutisë postare në shtetin ku është regjistruar, ose në rast se nuk ka kuti postare në shtetin e regjistrimit, atë mund ta drgojë në kutinë e shtetit më të afërt.
Së katërti, KQZ, ka miratuar procedurën standarde të veprimit për votimin jashtë Kosovës dhe vlerësimin e pakove me fletëvotime, përmes së cilës përcaktohen aspekte të ndryshme të votimit përmes postës, ndër tjerash për tërheqjen e dërgesave në kutitë postare jashtë Kosovës.
Ashtu siç kërkohet në këtë procedurë, KQZ ka autorizuar zyrtarët e përfaqësisë diplomatike për tërheqjen e dërgesave postae dhe ka dorëzuar materialet e nevojshme për tërheqjen e dërgesave postare, përfshirë thasët dhe lidhëset e sigurisë. Gjatë tërheqjeve të pakove të supozuara me fletëvotime, KQZ ka njoftuar rregullisht vëzhguesit e akredituar për përcjelljen e tërheqjes së dërgesave postare.
Sipas kësaj procedure, pas tërheqjes së pakove me fletëvotime, ato evidentohen brenda objektit të postës dhe vendosen në thasë, të cilët mbyllen me lidhëse të sigurië dhe shiritin e sigurisë. Ekipi i autorizuar ka regjistruar numrin e zarfeve të tërhequr dhe numrin e lidhëses së sigurisë në formularin e raportimit të pakove me fletëvotimet e pranuara përmes postës në kutinë postare jashtë Kosovës. Pas plotësimit dhe nënshkrimit të formularit, ekipi përgjegjës ka fotografuar formularin e plotësuar, thesin ku shihet numri serik i lidhëses së sigurisë dhe fletë tërheqjet e lëshuar nga posta (nëse ka). Fotografitë dhe raportet janë dërguar menjëherë përmes email-it në KQZ.
Thasët me pakot e tërhequra, sipas procedurës, janë vendosur në dhomën e sigurisë së përfaqësive diplomatike deri në momentin e dorëzimit tek operatori, që është bërë në të njëjtën ditë kur janë realizuar tërheqjet. Thasët nuk hapen, por vendosen në një thes tjetër, i cili mbyllet dhe i është vendosur shiriti diplomatik. Pas përfundimit të procedurave diplomatike, pakot i dorëzohen operatorit për t’u dërguar në Kosovë si dërgesë diplomatike.
Së pesti, pas sjelljes në Kosovë, pakot e supozuara me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, qëllimi i të cilit është të vërtetohet nëse ato janë dërguar nga votuesit e regjistruar. Për të vëzhguar këtë proces, KQZ ka njoftuar vëzhguesit e akredituar dhe vëzhguesit e subjekteve politike, të cilët kanë qenë prezentë pothuajse gjatë gjithë kohës kur është bërë hapja e thasëve dhe vlerësimi i zarfeve, dhe nuk kanë paraqitur asnjë vërejtje gjatë këtij procesi. Gjithashtu, vlenë të theksohet se zyrtarët që kanë kryer vlerësimin e zarfeve nuk kanë vërejtur asgjë të pazakontë gjatë hapjes dhe shqyrtimit të tyre.
Zarfet e dërguara nga votuesit janë hapur nga zyrtarët përgjegjës për vlerësimin e zarfeve me qëllim të verifikimit, përmes dëftesës së regjistrimit, nëse votuesit kanë qenë të regjistruar me sukses. Në rastet kur në zarfin kryesor nuk është gjetur dëftesa e regjistrimit, zyrtarët e shërbimit të votuesve, në prani të mbikëqyrësit, kanë hapur zarfin e fshehtësisë për t’u siguruar nëse deftesa e regjistrimit ndodhet së bashku me fletëvotimin.
Të gjitha zarfet me fletëvotime që kanë përmbushur kriteret e përcaktuara me rregullore janë procesuar për numërim sipas komunave përkatëse të votuesve.