Shpërthime e sirena alarmi herët të mërkurën në Kiev - NACIONALE

Shpërthime e sirena alarmi herët të mërkurën në Kiev

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Vitali Kliçko, kryetar i kryeqytetit ukrainas, Kiev, ka thënë se disa shpërthime janë dëgjuar herët të mërkurën në këtë qytet.

Sipas tij, shpërthimet kanë ndodhur në distriktin qendror, Shevçenkivski, dhe se shërbimet emergjente janë dërguar në vendin e ngjarjes, raporton televizioni BBC, përcjell gazeta Nacionale.

Guvernatori i rajonit të Kievit, Oleksiy Kuleba, tha se sistemet për mbrojtje kundërajrore janë në gjendje gatishmërie.

Reporterët e televizionit BBC kanë dëgjuar shpërthime pak pas aktivizimit të alarmit për sulme ajrore. Rusia vazhdimisht e ka vënë në shënjestër infrastrukturën e energjisë në Ukrainë me dronë e raketa që nga muaji tetor.

Kryetari i kryeqytetit ukrainas më vonë tha se dhjetë dronë iranianë “Shahed” janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes kundërajrore të mërkurën herët.

Ukraina e ka akuzuar Iranin për furnizimin e Rusisë me dronë të ashtuquajtur “kamikazë”, që janë përdorur në sulmet vdekjeprurëse të 17 tetorit.

Irani fillimisht e ka mohuar dërgimin e dronëve në Rusi, por më vonë ka pranuar një gjë të tillë, duke thënë se dërgimi i tyre është bërë “shumë muaj” para fillimit të luftës.

Lajme të ngjashme